Gjykata e Apelit pranon sërish ankesën për paraburgimin ndaj pesë zyrtarëve policorë
Gjykata e Apelit e Kosovës ka pranuar sërish ankesën e dorëzuar lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të dyshuar për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Personat nën hetim janë rreshteri Ibrahim Nela dhe zyrtarët policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët po dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Zëdhënësja e Gjykatës së Apelit, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ankesa është pranuar më datë 25 korrik 2025.
“Ju njoftojmë se lënda me ankesë lidhur me këtë çështje është pranuar më 25.07.2025, në Gjykatën e Apelit dhe ka marrë shenjën PN1.DP.nr.1081/2025”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Apeli.
Historia e zhvillimeve gjyqësore
Më 9 korrik 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan kishte vendosur për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve për një muaj.
Mirëpo, më 17 korrik 2025, Gjykata e Apelit – Departamenti i Përgjithshëm, duke vepruar sipas ankesave të mbrojtësve të të dyshuarve, kishte anuluar vendimin e Themelores.
Pas kthimit të çështjes për rivendosje, Gjykata Themelore në Lipjan më 23 korrik 2025 kishte caktuar sërish paraburgimin për të njëjtit persona.
Pritet vendimi i ri i Apelit
Me pranimin e kësaj ankese të re, pritet që Gjykata e Apelit të shqyrtojë edhe njëherë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimit të fundit të Themelores lidhur me masën e sigurisë ndaj të dyshuarve.
“Betimi për Drejtësi” më herët kishte raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë, vendimin fillestar të Gjykatës dhe deklarimet e të dyshuarve në Prokurori.
Burimi: Betimi për Drejtësi | Përpunuar nga KeshillaLigjore.com