SHBA miraton Ligjin e Mbrojtjes 2026, Kosova riafirmohet si faktor kyç strategjik në Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, një nga ligjet më të rëndësishme strategjike të SHBA-së, i cili autorizon shpenzime ushtarake në vlerë rekord prej 901 miliardë dollarësh.
Ligji është miratuar pavarësisht disa dispozitave të futura nga Kongresi që kufizojnë hapësirën ekzekutive për uljen e pranisë amerikane në Evropë dhe parashikojnë ndihmë të vazhdueshme për Ukrainën.
Kosova në fokusin strategjik amerikan
Në dokumentin zyrtar, Kosova përmendet shprehimisht si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, stabiliteti i së cilës është i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.
“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashtë shteteve.”
Ligji riafirmon angazhimin amerikan për paqe, demokraci, zhvillim ekonomik dhe forcim institucional në rajon, duke e konsideruar Kosovën element të pandashëm të këtij arkitekture sigurie.
Dialogu Kosovë–Serbi dhe njohja reciproke
Një nga pikat më të rëndësishme të ligjit është qëndrimi i qartë i Kongresit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve vlerësohet si hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në zbatimin e Aneksit.
Dokumenti riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikime kufijsh mbi baza etnike.
NATO, BE dhe siguria rajonale
Ligji mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe integrimin evropian të rajonit.
Kosova përfshihet gjithashtu në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez, duke përfituar nga rritja e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike.
Ndihma për Ukrainën dhe kufizimi i tërheqjes nga Evropa
Ligji autorizon 800 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën në dy vitet e ardhshme dhe parashikon masa të forta për ruajtjen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Po ashtu, kufizohet mundësia e Departamentit të Mbrojtjes për të reduktuar trupat amerikane në Evropë nën pragun prej 76 mijë ushtarësh dhe ruhet pozicioni i komandantit suprem të NATO-s për SHBA-në.
Rëndësia juridike dhe gjeopolitike
Ky ligj përfaqëson një sinjal të fuqishëm politik dhe juridik për vazhdimësinë e rolit amerikan në sigurinë globale, duke konfirmuar se Ballkani Perëndimor dhe Kosova mbeten pjesë integrale e interesave strategjike të SHBA-së.