✉ info@keshillaligjore.com  ·  Kosovë · Shqipëri · Maqedoni

Regjistrimi i përkohshëm i automjeteve në Kosovë

− min lexim
Regjistrimi i përkohshëm i automjeteve në Kosovë – Dokumentet dhe procedura

REGJISTRIMI I PËRKOHSHËM I AUTOMJETIT

Regjistrimin e përkohshëm mund ta bëjnë shtetasit e huaj të cilët përkohësisht qëndrojnë në territorin e Republikës së Kosovës, studentët që vijojnë mësimet, specializimet, hulumtimet shkencore dhe punëtorët e huaj që janë në marrëdhënie të përkohshme pune në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit.

Targat e përkohshme nuk mund të jepen në afat më të shkurtër se dy (2) muaj e as në afat më të gjatë se dymbëdhjetë (12) muaj.

Regjistrimi i përkohshëm bëhet për:

  • Mjetet motorike të cilat në bazë të kontratës mbi bashkëpunimin ekonomik shfrytëzohen në mes të kompanive transportuese vendore dhe të huaja.
  • Mjetet motorike të përfaqësive të huaja të cilat përkohësisht ushtrojnë veprimtari afariste në territorin e Republikës së Kosovës.
  • Vazhdimi i regjistrimit të përkohshëm mund të bëhet në rast se dogana e vazhdon lirimin nga dogana.

Për regjistrimin e përkohshëm kërkohen këto dokumente:

  • Dokumenti Unik Doganor (DUD), në raste të veçanta vendimi doganor ku do të precizohet e drejta mbi importin e përkohshëm.
  • Dokumenti i qëndrimit për të huaj i lëshuar nga organet kompetente të Republikës së Kosovës.
  • Dëshmia mbi pronësinë e automjetit.
  • Fatura e prodhuesit – shitësit të automjetit.
  • Dokumenti origjinal i shtetit përkatës.
  • Dokumenti i identifikimit të lëshuar nga organet e Kosovës.
  • Polica e sigurimit e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e lëshimit.
  • Dëshmia mbi pagesën e taksës.
  • Dëshmia mbi pagesën e taksës rrugore dhe ekologjike për automjetin.
  • Certifikatën e kontrollit teknik të automjetit të lëshuar nga subjekti i licencuar nga organi kompetent, e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e lëshimit.

Automjetet e reja të cilat marrin pjesë në komunikacionin rrugor do t’i nënshtrohen kontrollit teknik gjatë muajit në të cilin i kalon afati prej 24 muajsh nga kontrolli i parë teknik.

Pas kalimit të afatit të regjistrimit të përkohshëm të automjetit, me kërkesën e palës QRA është e obliguar t’ia kthej librezën e origjinës.