
Aksident me fatalitet në Prishtinë – një i vdekur pas përplasjes veturë-motoçikletë
Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur pasditen e së premtes më 1 gusht 2025 në Prishtinë, pranë sallës “1 Tetori”. Në aksident u përfshinë një veturë dhe një motoçikletë.
Policia e Kosovës njoftoi se drejtuesi i motoçikletës ka humbur jetën si pasojë e përplasjes. Vdekja është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi emergjent mjekësor.
“Rreth orës 17:00, kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Edmond Hoxha’ në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë. Si pasojë, drejtuesi i motoçikletës ka humbur jetën. Ekipet emergjente kanë konstatuar se viktima, mashkull, është pa shenja jete”, deklaroi zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana, për gazetën KOHA.
Njësia e Trafikut Rrugor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.