Naim Murseli i përgjegjshëm penalisht – Raporti psikiatrik konfirmon gjendjen e tij mendore
Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, duke konstatuar se ai nuk ka ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore të përkohshme apo të përhershme.
Në raportin zyrtar thuhet se: “Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm.”
Gjithashtu, raporti vë në dukje se nuk është konstatuar abuzim me substanca psikoaktive apo alkool, dhe se Murseli nuk ka shfaqur simptoma patologjike që do të ndikonin në aftësinë e tij për të kuptuar rëndësinë e veprës apo për të kontrolluar veprimet e tij.
“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji patologjike. Ai është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”, thuhet në raport.
Sipas përshkrimit të statusit të tij psikik, Murseli është i vetëdijshëm, i orientuar në kohë dhe hapësirë, dhe nuk ka çrregullime në të folur apo të menduar. Ai është bashkëpunues, me kontakt të qartë verbal dhe vizual, ndërsa mohon çfarëdo ide suicidale apo homicidale.
Mbrojtja kishte kërkuar ekzaminim psikiatrik për shkak të dyshimeve për paqëndrueshmëri mendore të klientit të tyre. Megjithatë, raporti përfundimtar e konsideron të pandehurin të aftë për të ndjekur procedurat gjyqësore dhe për të mbrojtur veten në mënyrë të plotë.
Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm në seancat gjyqësore për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, më 29 nëntor 2023. Prokuroria pretendon se ai ka organizuar vrasjen për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej 260 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, vrasja është kryer me bashkëpunimin e dy personave të tjerë – Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava – të cilëve Murseli u kishte premtuar 30 mijë euro për kryerjen e krimit. Fillimisht, vrasja ishte prezantuar si grabitje, por më vonë është zbuluar se ishte një inskenim i organizuar.