A Aplikohet Ngarkesa e Kundërt për Faturat në Ndërtimtari?
Në veprimtarinë e ndërtimtarisë lëshohet një faturë nga ana e një kompanie, kundrejt kompanisë tjetër për material dhe shërbim në vlerë prej 480 euro. Shuma – ngarkesa e TVSH i bëhet kompanisë blerëse apo duhet të aplikohet ngarkesa e kundërt?
Skema e veçantë në ndërtimtari aplikohet nëse plotësohen kriteret e përcaktuara me nenin 70 të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2015, si dhe nenin 6 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2016.
Sqarime për aplikimin e skemës së veçantë në ndërtimtari janë dhënë edhe me Vendimin Shpjegues Publik Nr. 05/2016, në të cilin janë dhënë udhëzime për aplikimin e ngarkesës së kundërt. Si pikë reference merret Sektori F sipas Klasifikimit të Veprimtarive Ekonomike (NACE Rev.2).
Në rastet kur kemi të bëjmë me furnizime të përziera – si material dhe shërbim – pavarësisht vlerës apo proporcionit të tyre, ato duhet të faturohen pa TVSH, duke zbatuar dispozitat e ngarkesës së kundërt.
Fatura në këtë rast duhet të lëshohet:
- Pa TVSH
- Me referencën: “Ngarkesa e kundërt sipas 1.4.1 neni 52 i Ligjit Nr. 05/L-037 për TVSH”