Policia në Skënderaj arreston një person për vjedhje të veturës
Një aksion i shpejtë i njësiteve policore në Skënderaj ka rezultuar me arrestimin e një personi dhe gjetjen e një veture të vjedhur vetëm pak orë pas raportimit të rastit.
Veprimet e koordinuara në teren mundësuan lokalizimin e veturës së vjedhur në lëvizje. Policia ka bërë ndalimin e mjetit dhe ka prangosur personin e dyshuar që po e drejtonte atë.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti penal për veprën “Vjedhje”. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë deri në procedurat e mëtutjeshme gjyqësore.