Policia e Kosovës ekstradon nga Anglia të kërkuarin me urdhërarrest ndërkombëtar
PRISHTINË, 15 Janar 2026 – Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), ka njoftuar realizimin e suksesshëm të ekstradimit të një shtetasi kosovar nga Anglia drejt Republikës së Kosovës.
I dyshuari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas lëshimit të urdhërarrestit nga institucionet e drejtësisë kosovare. Ai ngarkohet me veprat e rënda penale “Vrasje në tentativë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për procedim të mëtutjeshëm ligjor. Policia e Kosovës ka theksuar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të parandaluar dhe hetuar aktivitetet kriminale, pa marrë parasysh vendndodhjen e të dyshuarve.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor rikonfirmon zotimin për shkëmbimin e informacioneve me organizatat ndërkombëtare për gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave që tentojnë t'i shpëtojnë drejtësisë duke vepruar jashtë vendit.