Publikohen dy botime të Gjykatës Supreme të Kosovës
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, si autoriteti më i lartë gjyqësor, në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor për unifikimin e praktikës gjyqësore dhe sigurimin e zbatimit të qëndrueshëm të ligjit, për të tretin vit me radhë ka hartuar Përmbledhjet e Praktikës Gjyqësore.
Këto përmbledhje u publikuan sot në Konferencën vjetore “Ditët e gjyqësorit”, të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duke shënuar edhe një hap tjetër të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor.
Botimi “Përmbledhje nga praktika e Gjykatës Supreme të Kosovës në çështje civile dhe penale” synon të kontribuojë në harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe përmirësimin e cilësisë së vendimeve, duke rritur efikasitetin dhe besimin e qytetarëve në drejtësi, sipas standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Ndërkaq botimi “Vendime të përzgjedhura të Gjykatës Supreme të Kosovës” ka për qëllim forcimin e unifikimit të praktikës gjyqësore, rritjen e transparencës institucionale dhe zhvillimin e mëtejshëm të standardeve profesionale në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës.
Përmbledhjet janë konceptuar që të sigurojnë zbatim të njëtrajtshëm të ligjit, duke u ofruar gjyqtarëve udhëzime praktike dhe zgjidhje për çështje që paraqesin dilema gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, gjithmonë në përputhje me parimet e drejtësisë dhe me standardet më të mira ndërkombëtare.
Këto botime janë realizuar me mbështetjen e Akademisë së Drejtësisë, institucion i cili luan rol të rëndësishëm në zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit.
Publikimi i tyre në faqet zyrtare të Gjykatës Supreme dhe të Akademisë së Drejtësisë u mundëson profesionistëve dhe publikut të gjerë qasje të lirë dhe të lehtë në materiale juridike të një rëndësie të veçantë.