Policia e Kosovës arreston dy të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar
Prishtinë – Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, pas një hetimi intensiv në bashkëpunim me prokurorinë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë siguruar prova të besueshme se një i dyshuar (mashkull kosovar), i punësuar si bibliotekist në një shkollë me kontratë të rregullt, nuk është paraqitur në vendin e punës për një kohë të gjatë, ndonëse ka vazhduar të marrë pagë të plotë nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Në këtë rast është arrestuar edhe një i dyshuar i dytë (zyrtar), i cili akuzohet se nuk ka raportuar mungesën e bibliotekistit pranë autoriteteve kompetente. Ky mosveprim ka mundësuar pagesat pa bazë ligjore, duke konsumuar kështu elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit të shtetit, atyre u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë për procedura të mëtejshme gjyqësore.