Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin Banjska

Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin 'Banjska'

Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin “Banjska”

Avokati Naim Rudari, përfaqësuesi i policit të dëmtuar Alban Rashiti në rastin “Banjska”, ka njoftuar se ka ushtruar kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve të përfshirë në këtë rast. Sipas tij, ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë deklarimin e rremë, ndihmën në kryerjen e terrorizmit, moslajmërimin e veprave penale, dhënien e ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe manipulimin me prova.

Sipas postimit të bërë nga Rudari në Facebook, më 22 dhe 24 korrik 2025, janë dëgjuar dy dëshmitarë të cilët kanë deklaruar njohuri të rëndësishme për rastin dhe anëtarët e grupit që kreu sulmin në Bajnskë. Dëshmitarët e përmendur janë Rade Nedelkoviq dhe Velko Iliq, ky i fundit i dëgjuar në seancë të mbyllur. Të kallëzuarit përfshijnë gjithashtu Marko Saviq dhe Ivan Filimonoviq.

Avokati pretendon se këta persona kanë ndihmuar grupin e armatosur duke i strehuar në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, madje kishin premtuar se do t’i regjistronin si punëtorë të hotelit për t’iu shmangur arrestimit. Sipas kallëzimit, ata kanë ndihmuar në trajtimin e të plagosurve, zhveshjen nga uniformat ushtarake dhe pajisjen me rroba civile për të mundësuar largimin nga zona e sulmit.

Më tej, Rudari pretendon se të njëjtit dëshmitarë kanë deklaruar rrejshëm gjatë dëshmisë së tyre në gjykatë, duke mohuar faktet që më herët i kishin dhënë në polici dhe në prokurori. Ai thekson se një dëshmitar nuk ka të drejtë të zgjedhë cilën deklaratë ta mbajë si të vërtetë dhe se ai është i detyruar të thotë vetëm të vërtetën gjatë dëshmisë në gjykatë.

Rudari ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet menjëherë, duke potencuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për veprimet e përmendura dhe se hetimi mund të sjellë në dritë prova shtesë për personat që kanë ndihmuar grupin terrorist në forma të ndryshme në fshatin Bajnskë.

Ndërkohë, përveç tre personave që ndodhen në paraburgim – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq – Prokuroria Speciale më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për përfshirje në sulmin terrorist. Të gjithë këta ndodhen në Serbi.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit me përdorim të dhunës dhe armatimit të rëndë me qëllim të shkëputjes së veriut të Kosovës dhe bashkimit të tij me Serbinë. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa u rrezikuan jetët e zyrtarëve të tjerë dhe civilëve në zonë.

Ndaj Milan Radoiçiq dhe 40 të akuzuarve të tjerë janë lëshuar fletarrestime ndërkombëtare, pasi ata ndodhen në arrati.

Juristi.blog

Author & Editor

Platformë informative juridike që ofron këshilla praktike, analiza ligjore dhe përmbajtje të besueshme për qytetarët, profesionistët e drejtësisë dhe studentët në Kosovë.

Manual Categories