Ministrja Haxhiu merr pjesë në Takimin Rajonal për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të Projektit Rajonal për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore në Ballkanin Perëndimor, i cili kishte në fokus luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në adresimin e saj, ministrja Haxhiu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë për të forcuar sundimin e ligjit, përmes reformave të thella strukturore dhe ndërtimit të institucioneve të drejtësisë që janë të pavarura dhe funksionale.
Ajo theksoi disa nga hapat konkretë që janë ndërmarrë, si miratimi i ligjeve kyçe, përfshirë Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, Ligjin për Sinjalizuesit, dhe funksionalizimin e Task-Forcës Anti-Korrupsion dhe Ekipit të Përbashkët të Hetimeve.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është edhe implementimi i një platforme digjitale për monitorimin e proceseve gjyqësore, që synon të rrisë transparencën dhe efikasitetin në trajtimin e rasteve në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Ministrja vuri në pah se sfidat institucionale dhe mungesa e burimeve janë të pranishme, por përkushtimi i institucioneve vendore, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është çelësi për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Drejtësia nuk mund të ndërtohet vetëm, por kërkon një përpjekje të përbashkët dhe të koordinuar në nivel vendor dhe rajonal”, përfundoi ministrja Haxhiu.