Familja e Liridona Ademajt reagojnë pas kërkesës për ekzaminim psikiatrik të Naim Murselit
Vendimi i Gjykatës për të urdhëruar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, ka shkaktuar reagime të forta nga familja e viktimës. Përmes një deklarate për Tëvë 1, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e familjes për këtë vendim.
“Së pari, faleminderit shumë për angazhimin tuaj. Sa i përket rastit, për ne si familje ka qenë tepër e rëndë humbja e Liridonës. Ne presim që ky hap procedural, që është kërkuar prej mbrojtjes së të akuzuarit, të përfundojë sa më shpejt,” deklaroi Leonard Ademaj.
Ai theksoi se kjo kërkesë është një përpjekje për të vonuar drejtësinë dhe për të keqpërdorur procesin ligjor: “Konsiderojmë se kjo është një përpjekje për të shmangur gjykimin përmes keqpërdorimit të procedurave. Nuk e kundërshtojmë që të kryhen ekzaminimet, por ato flasin vetë për fajësinë e të akuzuarit dhe shfrytëzimin e të gjitha mjeteve – brenda e jashtë dispozitave ligjore.”
Familja Ademaj thekson nevojën që procesi gjyqësor të mos vonohet më tutje dhe që drejtësia për Liridonën të vihet në vend sa më shpejt. Sipas tyre, manipulimi me mekanizmat procedurale e dëmton integritetin e gjykimit dhe shton dhimbjen për familjen e viktimës.
Kjo ngjarje ka ngjallur interes të madh publik dhe vazhdon të ndjeket nga afër nga opinioni në Kosovë. Kërkesa për ekzaminim psikiatrik shpesh përdoret në raste të caktuara, por në këtë rast është parë me skepticizëm nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik.
Redaksia e Këshilla Ligjore do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet e këtij rasti dhe të ofrojë informim të saktë dhe të drejtë për të gjithë ata që kërkojnë drejtësi dhe transparencë në sistemin gjyqësor të Kosovës.