Belgjika pranon të zbatojë dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës
12 qershor 2025 – Bruksel. Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Mbretëria e Belgjikës nënshkruan zyrtarisht Marrëveshjen mbi Zbatimin e Dënimeve, një hap i rëndësishëm në përforcimin e drejtësisë penale ndërkombëtare.
Marrëveshja u nënshkrua nga Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon, dhe z. Zherar Div, Shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës. Sipas marrëveshjes, personat e dënuar nga DHSK-ja mund të vuajnë dënimin në burgjet belge, në varësi të kushteve të caktuara nga DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës.
Kryetarja e DHSK-së, znj. Ekaterina Trendafilova, theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi, duke deklaruar: “Zbatimi i dënimeve është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Belgjika riafirmon përkushtimin e saj ndaj drejtësisë dhe mandatin e DHSK-së.”
Ajo gjithashtu ftoi shtetet e tjera që të ndjekin shembullin e Belgjikës dhe të kontribuojnë në krijimin e një kornize të fuqishme për zbatimin e dënimeve.
Ndërkohë, përfaqësuesi belg, z. Zherar Div, deklaroi: “Me këtë marrëveshje, Belgjika konfirmon angazhimin e saj të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare, në përputhje me marrëveshjen ndërmjet BE-së dhe Kosovës.”
Marrëveshja është në përputhje me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentes së Kosovës, si dhe me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, sipas të cilit dënimet e formës së prerë kryhen jashtë territorit të Kosovës.
Burimi: Dhomat e Specializuara të Kosovës