Vendimi i Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme të Kosovës
Rasti AC-I-22-0064-A0001
Paditësja: S.P., fsh. G e E, Graçanicë, Kosovë
E paditura/Ankuesja: NSH. "Kombinati i pambukut Yumco", (në likuidim), përfaqësuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Rr. "Dritan Hoxha", nr. 55, Lakrishte, Prishtinë
Kolegji i Apelit: Mr.sc. Sahit Sylejmani, gjyqtar kryesues, Ilmi Bajrami dhe Shkelzen Sylaj, gjyqtarë
Aktvendimi
Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (DHPGJS), pas seancës vendimmarrëse të mbajtur më 1 shkurt 2024, lëshon këtë aktvendim:
- Ankesa e të paditurës aprovohet si e bazuar.
- Prishet Aktgjykimi i shkallës së parë të DHPGJS-së, C-IV-14-0831 i datës 26 janar 2022.
- Lënda kthehet në rigjykim në shkallë të parë të DHPGJS-së te gjyqtari/ja përkatës/e.
- Nuk caktohen taksa gjyqësore për procedurën ankimore.
Rrethanat Procedurale dhe Faktike
Me datë 13 shkurt 2014, paditësja kishte paraqitur në DHPGJS një ankesë kundër vendimit të Autoritetit të Likuidimit PRN078-0399, të datës 8 janar 2014, me të cilin vendim kërkesa e saj për kompensim për paga të papaguara për periudhën nëntor të vitit 2002 deri në muajin mars 2004, në shumë prej 1,210.01 euro, ishte refuzuar si e pavlefshme, me arsyetimin se kërkesa është parashkruar në bazë të nenit 608 të Ligjit të Punës së Bashkuar.
Paditësja theksoi se vetëm me Njoftimin e AKP-së të datës 10 qershor 2013 të gjithë punëtorët ishin njoftuar lidhur me kontratën e shitjes së NSH-së “Yumco” dhe se marrëdhënia e punës iu ishte ndërprerë me 24 qershor 2006.
Mbrojtja e AKP-së
Me datë 9 qershor 2021, AKP-ja paraqiti mbrojtjen e saj në ankesë, duke pohuar se kërkesa për kompensim për paga të papaguara është e parashkruar pasi paditësja nuk ka dorëzuar ndonjë dëshmi që këto paga i ka kërkuar në afatin prej 3 vitesh. Për këtë arsye, AKP-ja i kishte propozuar gjykatës që të refuzohet ankesa si e pabazuar dhe të vërtetohet vendimi i Autoritetit të Likuidimit.
Vendimi i Shkallës së Parë
Me datë 26 janar 2022, shkalla e parë e DHPGJS me Aktgjykimin C-IV-14-0831, e kishte aprovuar ankesën e paditëses pjesërisht si të bazuar, duke e obliguar të paditurën që t’ia paguaj paditëses shumën prej 226.87 euro në emër të kompensimit të pagave të pa paguara.
Ankimi i AKP-së
Me datë 7 shkurt 2022, AKP-ja e dorëzoi në DHPGJS një ankesë kundër Aktgjykimit të shkallës së parë, duke pohuar se me Aktgjykimin e ankimuar nuk është vlerësuar në mënyrë të drejtë gjendja faktike dhe është zbatuar në mënyrë të gabuar e drejta materiale.
Arsyetimi Ligjor i Kolegjit të Apelit
Kolegji i Apelit vëren se paditësja me datë 21 tetor 2013, e ka dorëzuar një kërkesë tek Autoriteti i Likuidimit për kompensim për paga të papaguara për periudhën nëntor të vitit 2002 deri në muajin mars 2004 në shumë prej 1,210.01 euro. Kjo kërkesë ishte refuzuar si e pavlefshme nga Autoriteti i Likuidimit me arsyetimin se ajo është e parashkruar në bazë të nenit 608 të Ligjit të Punës së Bashkuar.
Shkalla e parë e DHPGJS-së me Aktgjykimin e ankimuar e aprovon pjesërisht ankesën e paditësit si të bazuar dhe e detyron të paditurën t’ia paguaj paditëses 3 paga të pa paguara në emër të kompensimit sipas nenit 40 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së për shkak të fillimit të procesit të Likuidimit.
Kolegji i Apelit vëren se paditësja me ankesën e saj në shkallën e parë ka dorëzuar kopjen e Njoftimit të AKP-së të datës 10 qershor 2013 me të cilin paditësja ishte informuar se marrëdhënia e punës i ishte ndërprerë qysh me datë 24 qershor 2006.
Përfundimi
Prandaj nga se u tha më sipër, Kolegji i Apelit konkludon se shkalla e parë duhet të veprojë brenda kërkesës së paditëses. Prandaj, ankesa e të paditurës aprovohet si e bazuar dhe lënda kthehet në rigjykim në shkallë të parë. Taksa gjyqësore nuk caktohet për procedurën ankimore pasi AKP-ja tashmë e ka paguar taksën gjyqësore në shumë prej 100.00 euro.
U vendos nga Kolegji i Apelit me 1 shkurt 2024.
Mr.sc. Sahit Sylejmani, Gjyqtar Kryesues
Ilmi Bajrami, Gjyqtar
Shkelzen Sylaj, Gjyqtar
0 Comments:
Post a Comment