Në Asamblenë Botërore të Privatësisë në Stamboll (GPA), për të parën herë, Kosova është pjesë e panelit prezantues nga Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

 Në Asamblenë Botërore të Privatësisë në Stamboll (GPA), për të parën herë, Kosova është pjesë e panelit prezantues nga Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Me temën Blockchain dhe Metaverse: Privatësia dhe Mbrojtja e të Dhënave, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermaku, prezantoi pikëpamjen institucionale ligjore të aplikimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) në botën virtuale. Së bashku me Zv.Presidentin për çështje të privatësisë të Kompanisë Meta (Facebook), z. Rob Sherman, Analistin e Politikave të Privatësisë, z. Daniel Leufer, Profesoreshën nga Universiteti “British Columbia”, znj. Victoria Lemiuex, dhe Profesoreshën nga Universiteti i Juridikut “İhsan Doğramacı Bilkent” znj. Pinar Çağlayan Aksoy, u diskutua për entuziazmin dhe rrezikun që vjen nga bota virtuale, Blockchain dhe Metaverse.
Komisionerja Sogojeva Dermaku, marrë parasysh Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë, i cili është në përputhje të plotë me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), prezantoi konfliktet e mundshme të aplikimit të GDPR në Botën Virtuale, Metaverse dhe Blockchain. Ndër të tjerash, ajo theksoi se këto platforma e kanë mundësinë e profilizimit më të thellë të përdoruesve, monitorimin konstant të tyre, ndërhyrjen në kategorizimin e veçantë të të dhënave siç janë të dhënat biometrike: njohja e fytyrës, lëvizjet e syve, intonacionin e zërit etj, e që shkon përtej të dhënave të mbledhura nga përdorimi i deritanishëm i rrjeteve sociale tradicionale. Përtej kësaj, për realizimin e së drejtës për tu harruar, e cila aktualisht nuk mund të aplikohet në përdorimin e blockchain-it, në rastin e blockchainit privat ofruesi i shërbimit mund dhe duhet të largoj nga zinxhiri i shpërndarjes, “lidhshmërinë” e “hash pointerit“ të blockchain-it me të dhënat e ruajtura në server , përderisa në rastet e blockchain-it publik, një ri-programim i strukturës së platformës së blockchain-it, ku për kërkesat e fshirjes së të dhënave nuk do të duhej aprovimi i të gjitha blloqeve në zinxhirin e blockchainit, do të ishte i mundur.
Po ashtu, rekomandimi kyç, përveç hartimit dhe miratimit të kodit të mirësjelljes/etikës dhe mekanizmit të certifikimit, si obligim i paraparë me GDPR, duhet të hartohet edhe një udhëzues i përbashkët, i bazuar në GDPR, në mënyrë që të ofrohet siguri ligjore në mbrojtjen e të dhënave personale për përdoruesit e këtyre platformave.
Asambleja Botërore e Privatësisë (GPA), e njohur si Konferenca Botërore e Mbrojtjes së të Dhënave dhe e Komisionerëve për Privatësi, e organizuar nga Autoriteti turk i mbrojtjes së të dhënave personale (KVKK), me komitet ekzekutiv të përbërë nga Komisioneri i Bermudës, Australisë, Meksikës, Turqisë, Morokës, dhe Gjermanisë, synon të ofrojë udhëheqje në nivel ndërkombëtar në mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë. Asambleja e bën këtë duke lidhur përpjekjet e më shumë se 130 autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë nga e gjithë bota.
Vizioni i GPA-së është krijimi i një mjedisi, në të cilin autoritetet e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave në mbarë botën do të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë efektive për të përmbushur mandatet e tyre, si individualisht ashtu edhe në bashkëpunim, përmes përhapjes së njohurive dhe lidhjeve mbështetëse.
Me këtë rast, Komisionerja Sogojeva Dermaku, përveç prezantimit si paneliste, pati mundësinë që të njihej nga afër me komisionerë nga e gjithë bota për të vazhduar me bashkëpunimin në të ardhmen.

Juristi.blog

Author & Editor

Platformë informative juridike që ofron këshilla praktike, analiza ligjore dhe përmbajtje të besueshme për qytetarët, profesionistët e drejtësisë dhe studentët në Kosovë.

0 Comments:

Post a Comment