Aktgjykimi i kolegjit penal të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. Nr. 36/2023 i datës 2 maj 2023




Aktgjykimi i kolegjit penal të Gjykatës Supreme të Kosovës

PML. Nr. 36/2023 i datës 2 maj 2023

Gjykata duhet që në arsyetimin e aktgjykimit të paraqes arsyet për çdo pikë të

aktgjykimit (Neni 369, paragrafi 6 i KPP-së), ndërsa paraqitja e arsyeve ka të bëjë si me

aspekte faktike, ashtu edhe me aspekte juridike të rastit përkatës.

Aspekti faktik do të duhej të përfshinte arsyetime të qarta dhe të plota në lidhje me

faktet, përkatësisht faktet relevante juridike, duke paraqitur se arsye se cilat fakte

konsiderohen të vërtetuara apo të pavërtetuara, si dhe duke paraqitur arsye se pse ka

ardhur deri tek përfundimet e tilla.

Kurse, aspekti juridik i referohet interpretimit dhe zbatimit të dispozitave përkatëse

materiale, që i përkatësin si veprës penale (në tërësinë e saj), ashtu edhe përgjegjësisë

penale të të dënuarit, por jo vetëm. Një aspekt i tillë, do të duhej që t’i referohet edhe

interpretimit dhe zbatimit të dispozitave përkatëse procedurale.

Në këtë drejtim, mos paraqitja e arsyeve në aktgjykim në lidhje me aspektet e

theksuara më lartë sipas dispozitave të lartcekura ligjore, konsiderohet shkelje esenciale e

dispozitave të procedurës penale, sipas nenit 384, paragrafi 2, nën-paragrafi 7. të KPP.

I. Rrethanat e çështjes

1. Prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve E. I. dhe A.A. për shkak të

veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nën-paragrafët 1.1. dhe

1.5. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: KPRK) dhe veprës

penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”nga

neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. Gjithashtu ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit

E.M., P.I. dhe L.B., secili veç e veç, për shkak të veprës penale “Dhënia e ndihmës

kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, paragrafi 1 lidhur me

paragrafin 2., nën-paragrafi 21. të KPRK-së, kurse ndaj të pandehurit P.I., edhe për

shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të

armëve”nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

2. Gjykata Themelore në Prishtinë (në tekstin në vijim: gjykata e shkallës së parë), me

Aktgjykimin PKR.nr.1056/2020, e datës 7 qershor 2022, ka shpallur fajtor të

pandehurin E.I. për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi

1, nën-paragrafët 1.1. dhe 1.5. të KPRK-së dhe veprës penale “Mbajtja në pronësi,

kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRKsë, me ç’rast ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej

22 (njëzetedy) vjetëve, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në

paraburgim nga data 13 mars 2020 e tutje. Të pandehurin P.I. e ka shpallur fajtor për

shkak të veprës penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”

nga neni 380, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nën-paragrafi 21. të KPRK-së dhe

veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me

burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetëve dhe me dënim me gjobë në shumë prej

1000 (njëmijë) euro. Të pandehurin E.M. e ka shpallur fajtor për shkak të veprës

penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380,

paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nën-paragrafi 21. të KPRK-së dhe ndaj të njëjtit

është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjetëve, në të cilin dënim

i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 13 mars 2020 deri më

datën 13 prill 2021, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej datës 13 prill 2021

deri më datën 13 qershor 2021. Dhe në fund, edhe i dënuari L.B. është shpallur fajtor

për shkak të veprës penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale

nga neni 380, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nën-paragrafi 21. të KPRK-së dhe

ndaj tij është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë)

muaj.

3. Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit e Kosovës (në tekstin në vijim: gjykata e

shkallës së dytë), me aktgjykimin e PAKR.nr.445/2022, e datës 21 nëntor 2022, i ka

refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfaqësuesit

të autorizuar të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të dënuarve, ndërsa e ka vërtetuar

aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

4. Të pakënaqur me aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, kërkesë për

mbrojtje të ligjshmërisë kanë paraqitur mbrojtësi i të dënuarit E.I. dhe mbrojtësi i të

dënuarit P.I., për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe

shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë ndikuar në

ligjshmërisë e vendimit gjyqësor, me propozim që Gjykata Supreme e Kosovës t’i

aprovojë si të bazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe të anulohen

aktgjykimet e kundërshtuara dhe çështja të kthehet në gjykatën e shkallës së parë në

rigjykim.

5. Pretendohet se gjykata e shkallës së parë nuk i ka arsyetuar asnjërën prej provave të

administruara, por vetëm e ka mohuar mbrojtjen e nevojshme, me arsyetimin se nuk

është shtënë nga arma, edhe pse ekspertiza mjeko ligjore e thotë të kundërtën.

6. Sipas mbrojtësit, gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar sipas nenit 150, paragrafi

10. të Kodit të mëparshëm të Procedurës Penale (bëhet fjalë për Kodin Nr.04/L-123

e Procedurës Penale të datës 13 dhjetor 2012), pasi të dënuarit i vihet në barrë

shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, për të vërtetuar se a ka pasur mundësi të ketë

shkaktuar rrezikim të përgjithshëm me rastin e gjuajtjes nga i dënuari E.I.. Në këtë

rast, gjykata e shkallës së parë është dashur që të organizoj rikonstruksionin e vendit

të ngjarjes për të vërtetuar distancën e gjuajtjes, drejtimin e gjuajtjes, afërsinë e të

tjerëve me viktimën dhe afërsinë e armës “Ekol Special” me viktimën, me qëllim të

vërtetimit se a ka pasur mundësi të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm me rastin e

gjuajtjes nga ana e të dënuarit E.I.

7. Po ashtu, sipas mbrojtësit të të dënuarit, edhe dispozitivi i aktgjykimit të gjykatës së

shkallës së parë është i pakuptueshëm, kundërthënës në brendinë e tij, si dhe me

arsyetimin dhe me provat, të cilat janë vlerësuar në mënyrë të gabuar, ngase në

veprimet e tani të dënuarit përmbushen elementet e mbrojtjes së nevojshme, sipas

nenit 12 të KPRK-së.

8. Si rezultat i të gjitha këtyre shkeljeve, sipas mbrojtjes, rrjedhimisht është marrë edhe

një vendim jo i drejtë, duke shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 22

(njëzetedy) vjetëve, dënim ky tejet i lartë për të dënuarin E.I., duke pasur parasysh

moshën e tij në kohën e kryerjes së veprës penale (19 vjeçar).

9. Gjithashtu, mbrojtja pretendon se edhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë është

përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që në

arsyetimin e të njëjtit vetëm janë përshkruar konstatimet e gjykatës së shkallës së

parë, pa dhënë arsye për pretendimet ankimore, me theks të veçantë në lidhje me

statusin dhe rolin e armës që është gjetur afër të ndjerit.


10. Mbrojtësi i të dënuarit P.I., në kërkesën e tij për mbrojtjen e ligjshmërisë thekson se

aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të

dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal.

11. Mbrojtësi fillimisht e përshkruan raportin familjar mes të dënuarve, duke theksuar i

dënuari P.I. të dënuarin E.I. e ka djalë të axhës dhe se i dënuari E., ditën kritike, ia ka

lëshuar armën në dorë dhe ka ik nga aty, kurse i dënuari Përparim, duke mos kuptuar

asgjë, e merr armën dhe e fsheh nën disa dërrasa në shtëpinë e tij, ndërsa motorin e

len aty. Ky nga befasia nuk ka qenë në gjendje as të kundërshtoj pasi që ngjarja ka

ndodhur shumë shpejt. Në interesimin e tij se çka ka ndodhur dhe çka të bëjë me

armën, i dënuari E. nuk i tregon asgjë, duke i thënë se armën vjen dhe e merr. Të

nesërmen është kontaktuar nga policia dhe është pyetur, ku pa hezitim iu kishte

treguar se ku janë arma dhe motori. I dënuari nuk e ka ndihmuar para e as pas kryerjes

së veprës penale të dënuarin E., por e ka fshehur armën pa ditur se si të veprojë me

të. I dënuari nuk ka pasur as qëllim e as dashje që ta ndihmojë kryerësin e veprës

penale, sepse ky as që e ka ditur se çfarë ka ndodhur, me ç‘rast është shkelur parimi

i ligjshmërisë, pasi që gjykata nuk ka vërtetuar se i dënuari ka kryer veprën penale

për të cilën është shpallur fajtor, nuk ka prova se i njëjti e ka ndihmuar të dënuarin E.

në shmangien e zbatimit ose arrestimit përmes fshehjes së mjeteve, provave apo

ndonjë mënyrë tjetër, si dhe se janë shkelur edhe parimi i prezumimit të pafajësisë, si

dhe parimi “In dubio pro reo”.

12. Lidhur me pranimin e fajësisë për veprën penale nga neni 366 të KPRK-së, i dënuari

ka pranuar veprimet e tij, se pa vullnetin e tij përkohësisht ka pasur nën kontroll

armën të cilën edhe e ka dorëzuar me rastin e takimit të tij me zyrtarët policorë.

13. Gjykata sipas detyrës zyrtare do të duhej të kishte në konsideratë se edhe nëse

pranohet fajësia për veprimet e bëra, ato veprime duhej të përputhen me konsumimin

e elementeve të veprave penale e që sipas mbrojtësit në veprimet e të dënuari nuk

përmbushen elementet e asnjërës vepër penale për të cilën është shpallur fajtor dhe

është dënuar.

14. Nga këto pretendime, sipas mbrojtësit del se aktgjykimet janë marrë me shkelje

esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse dispozitivi i aktgjykimeve është

kundërthënës me brendinë e tij dhe me arsyet e paraqitura, në to nuk janë paraqitur

arsyet në lidhje me faktet vendimtare, si dhe me shkelje të ligjit penal, pasi që në

veprimet e të dënuarit P.I. nuk janë përmbushur të gjitha elementet e veprave penale

për të cilat është shpallur fajtor.



15. Mbrojtësi i të dënuarit E.I., në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë thekson se

aktgjykimet e kundërshtuara janë përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të

procedurës penale, ngase gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye në lidhje me

armën e gjetur afër të ndjerit, duke pretenduar që i ndjeri e ka përdorur armën para se

ai të ishte plagosur, gjë që mund të vërtetohet edhe provat e administruara, si dhe nuk

janë paraqitur arsye në lidhje me atë se si është vërtetuar fakti se si i dënuari ka shtënë

nga mbrapa (pas) në tani të ndjerin L.B..

16. Kryeprokurori i Shtetit, me shkresën KMLP.II.nr.27/2023, të datës 1 shkurt 2023, ka

propozuar që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësve të të dënuarve të

refuzohen si të pabazuara.

II. Vlerësimi i kolegjit penal të Gjykatës Supreme të Kosovës

17. Gjykata Supreme e Kosovës, pasi i shqyrtoi shkresat e lëndës në seancën e kolegjit,

në kuptim të nenit 435, paragrafi 1 lidhur me nenin 436, paragrafi 1 të Kodit të

Procedurës Penale (në tekstin në vijim: KPP) dhe pasi i vlerësoi pretendimet nga

kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, konstatoi se kërkesat për mbrojtje të

ligjshmërisë janë të bazuara.

18. Gjykata Supreme e Kosovës pas mbajtjes së seancës së kolegjit ka ardhur në

përfundim se pretendimet mbrojtësve të të dënuarve E.I. dhe P.I. janë të bazuara. Kjo

për faktin se aktgjykimi i lartcekur i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë në

shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384, paragrafi 2, nënparagrafi 2.7. lidhur me nenin 369, paragrafët 6 dhe 7 të KPP-së, ndërsa me shkelje

të njëjta është përfshirë edhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë, në kuptim të

vlerësimit të pretendimeve ankimore dhe mos paraqitjes së arsyeve të mjaftueshme

në lidhje me këto pretendime.

19. Gjykata Supreme e Kosovës, fillimisht e sheh të nevojshme që të sqaron se me nenin

369 të KPP-së është parashikuar në përgjithësi “Përmbajtja dhe forma e aktgjykimit

me shkrim”, ku në paragrafin 6. të këtij neni është parashikuar se “Gjykata në

arsyetimin e aktgjykimit paraqet arsyet për çdo pikë të aktgjykimit”, ndërsa në

paragrafin 7 të këtij neni është parashikuar se “Gjykata paraqet qartë dhe në mënyrë

të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i konsideron të vërtetuara apo të

pavërtetuara. Gjykata gjithashtu, në mënyrë të veçantë vlerëson saktësinë e provave

kundërthënëse, arsyet e mosmiratimit të propozimit konkret të palëve, si dhe arsyet

në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike, veçanërisht me

rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të

akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të

akuzuarit dhe veprës së tij”.

20. Bazuar në këto dispozita ligjore, rezulton se gjykata duhet që në arsyetimin e

aktgjykimit të paraqes arsyet për çdo pikë të aktgjykimit (paragrafi 6. i nenit të

lartcekur), ndërsa paraqitja e arsyeve ka të bëjë si me aspekte faktike, ashtu edhe me

aspekte juridike të rastit përkatës.

21. Aspekti faktik do të duhej të përfshinte arsyetime të qarta dhe të plota në lidhje me

faktet, përkatësisht faktet relevante juridike, duke paraqitur se arsye se cilat fakte

konsiderohen të vërtetuara apo të pavërtetuara, si dhe duke paraqitur arsye se pse ka

ardhur deri tek përfundimet e tilla.

22. Kurse, aspekti juridik i referohet interpretimit dhe zbatimit të dispozitave përkatëse

materiale, që i përkatësin si veprës penale (në tërësinë e saj), ashtu edhe përgjegjësisë

penale të të dënuarit, por jo vetëm. Një aspekt i tillë, do të duhej që t’i referohet edhe

interpretimit dhe zbatimit të dispozitave përkatëse procedurale.

23. Në këtë drejtim, mos paraqitja e arsyeve në aktgjykim në lidhje me aspektet e

theksuara më lartë sipas dispozitave të lartcekura ligjore, konsiderohet shkelje

esenciale e dispozitave të procedurës penale, sipas nenit 384, paragrafi 2, nënparagrafi 7. të KPP. Përveç kësaj, edhe në Kodin e mëparshëm të Procedurës Penale,

një gjë e tillë është konsideruar shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale

(neni 384, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.12.).

24. Nën dritën e këtyre që u theksuan më lart, Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se

gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që në arsyetimin e aktgjykimit të saj të

paraqes arsye të qarta dhe të mjaftueshme në lidhje me faktet relevante juridike, e që

rezulton se këtë të rast, aktgjykimi në fjalë është përfshirë me shkelje esenciale të

dispozitave të procedurës penale, shkelje këto të përmendura më lart.

25. Në këtë drejtim, në arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë nuk janë

paraqitur arsye të mjaftueshme në lidhje me armën “Ekol Special”, model 99, e

kalibrit 9mm, me numër serik “EV-10221629”, e ridizajnuar për fishekët

7.65x17mm, me mbushje të barotit, e cila armë kishte qenë në vendin e ngjarjes,

pranë vendit ku kishte qenë i shtrirë i ndjeri L.B..


26. Në lidhje me këtë rrethanë, gjykata e shkallës së parë vetëm është mjaftuar që të

thekson se nuk ka arritur që të vërtetojë rrethanën se i ndjeri L.B. të ketë shtënë me

këtë armë në drejtim të të dënuarit E.I., pa bërë një vlerësim të mirëfilltë dhe të

gjithanshëm të të gjitha provave që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

27. Gjykata Supreme e Kosovës konsideron se një arsyetim i tillë i gjykatës së shkallës

së parë është tejet i mëngët, duke i pasur parasysh provat që janë administruar gjatë

shqyrtimit gjyqësor, në veçanti konstatimet dhe mendimet e ekspertëve mjeko-ligjor

dhe të balistikës.

28. Në lidhje me këtë aspekt, eksperti mjeko-ligjor Dr. N.U., gjatë shqyrtimit gjyqësor

ka pohuar se në gjendje çfarë ka qenë tani i ndjeri nuk ka mundur të ndërmerr ndonjë

veprim që bazohet në forcën fizike të personit që pëson lëndime të tilla, pasi që në

përgjithësi është punë e disa sekondave kur fillon humbja e vetëdijes, për faktin se

kjo është rezultat i dëmtimeve të shumëfishta traumatike të shoqëruara me

gjakderdhje masive trurore, ku pason humbja e orientimit në kohë dhe hapësirë-në

sekondat e parë. Në fund, eksperti ka sqaruar se e shtëna ka ardhur nga ana e djathtë

e tani të ndjerit dhe pozicioni i tij ka qenë vertikal apo në këmbë dhe logjikisht edhe

pozicioni i personit që ka shtënë në drejtim të tij ka qenë i njëjtë-në këmbë.

29. Kurse, nga raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, si dhe nga fotot që gjenden në

shkresa të lëndës shihet se në vendin e ngjarjes - në rrugën “Hys Popova”, përveç

tjerash janë gjetur edhe 2 (dy) gëzhoja – të evidentuara si: Dëshmia VN#1 dhe

Dëshmia VN#2, mandej 1 (një) brisk me dorezë ngjyrë të zezë me gjatësi të tehut 5.5

cm, e cila është evidentuar si Dëshmia VN#4, si dhe 1 (një) pistoletë me numër serik

EV-10121629, e evidentuar si Dëshmia VN#5.

Gjithashtu, pjesë përbërëse e provave materiale që vlen të përmenden janë edhe :

Dëshmia VN#9 që është një pistoletë me karikator të zbrazët me mbishkrimin

“Zoragy” 02190 400675, si dhe Dëshmia L.B# - 1 (një) predhë fisheku e nxjerrë nga

trupi i të ndjerit L.B..

30. Në anën tjetër, ekspertja e balistikës H.H., gjatë shqyrtimit gjyqësor ka theksuar se

qëndron pranë raportit të ekspertimit balistik në përpiluar me shkrim. Përmes këtij

raporti të ekspertimit vërtetohet se :

- Gëzhoja e kalibirit 7.65x17 mm nga dëshmia VN#1 është gjuajtur nga pistoleta

“Zoragy”, model 2906B, e kalibrit 7.65x17mm, me numër serik 190400675;

- Gëzhoja e kalibrit 7.65x17 mm nga dëshmia VN#2 është gjuajtur (shkrepur) nga

pistoleta “Ekol Special”, e kalibrit 7.65x17 mm, me numër serik Ev101201629;

- Dëshmia e evidentuar me L.B#5, që është një plumb i dëmtuar i kalibrit 7.65x17

mm është gjuajtur shkrepur nga pistoleta “Zoragy”, model 2906B, e kalibrit 7.65x17

mm, me numër serik 190400675.

Duke u bazuar në këtë raport të ekspertimit balistik, shihet se gëzhojat që janë gjetur

në vendin e ngjarjes janë shkrepur nga dy armët e theksuara më lart, duke përfshirë

edhe armën “Ekol Special”, e cila është gjetur pranë vendit ku ka qenë i shtrirë i ndjeri

L.B..

31. Në lidhje me këtë armë, arsyetimet e gjykatës së shkallës së parë janë të mangëta,

kështu që edhe përfundimet e kësaj gjykate sa i përket kësaj çështje kanë mbetur të

pa ndriçuara dhe të pa sqaruara mjaftueshëm.

32. Përveç sqarimit dhe arsyetimit të rrethanave në lidhje me armën e lartcekur, gjykata

e shkallës së parë nuk ka arritur që të sqaron dhe arsyeton mjaftueshëm edhe njërin

prej elementeve kualifikuese të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173,

paragrafi 1, nën-paragrafi 1.5. të KPRK-së për të cilën është shpallur fajtor i dënuari

E.I., që i referohet rasteve kur “kryesi e privon nga jeta personin tjetër dhe me atë

rast me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë”.

33. Nga aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë shihet se i dënuari E.I. është shpallur

fajtor për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1. dhe 1.5. të KPRK-së, mirëpo në dispozitiv të këtij aktgjykimi nuk

është sqaruar mjaftueshëm se si ka ardhur deri tek rreziku i jetës së të dëmtuarve R.G.

dhe B.S., ndërsa në arsyetim nuk janë paraqitur arsye të mjaftueshme në lidhje me

këtë element kualifikues dhe nëse rreziku ndaj të dëmtuarve kishte qenë konkret.

34. Gjykata Supreme e Kosovës sqaron se për të ardhur në shprehje elementi kualifikues

i veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, nën-paragrafi 15. të

KPRK, është e domosdoshme që të shkaktohet rrezikshmëri konkrete e një ose më

shumë personave të tjerë, pasi që jo çdo lloj i rrezikut mund të justifikoj një element

të tillë. Se a është fjala për rrezikshmëri konkrete, këtë më së miri dhe më së lehti do

të mund ta vërtetonte gjykata e shkallës së parë, duke i pasur parasysh të gjitha

rrethanat e rastit konkret.

35. Me qëllim të vërtetimit të këtyre të dy rrethanave (çështja e armës dhe rrezikshmërisë

konkrete), gjykata e shkallës së parë nuk është dashur që të mjaftohet me konstatimin

se “Të gjitha palët në procedurë, si dhe prokurori i çështjes janë deklaruar se nuk e

shohin të arsyeshme që lidhur me këtë çështje të bëhet rikonstruimi i vendit të

ngjarjes”, pasi si me Kodin e mëparshëm të Procedurës Penale (neni 329, paragrafi

4), ashtu edhe tani me nenin 325, paragrafi 4 të KPP-së, është parashikuar mundësia

e administrimit të provave “ex officio” nga ana e gjykatës. Por, që me një përkushtim

maksimal, është dashur që të shqyrtohet edhe mundësia e rikonstruksionit të veprës

penale, me qëllim të sqarimit të drejtë dhe të plotë të të gjitha rrethanave të rastit, në

veçanti çështjes së armës së lartcekur dhe rrethanave se si është shkrepur nga dy armët

e theksuara më lart, pozicionet e personave të përfshirë, si dhe shumë çështjeve tjera

të rëndësishme.

36. Edhe sa i përket arsyetimit të elementeve të veprës penale dhënia e ndihmës kryesve

pas kryerjes së veprave penale nga neni 380, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2., nënparagrafi 2.1. të KPRK-së për të cilën është shpallur fajtor P.I., gjykata e shkallës së

parë është mjaftuar vetëm me paraqitjen e disa elementeve faktike të ngjarjes, pa bërë

në një analizë dhe pa paraqitur arsye të mjaftueshme nëse në rastin konkret janë

përmbushur të gjitha këto elemente.

37. Dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme, arsyetimet e gjykatës së shkallës së parë

në lidhje me rrethanat rënduese, sa janë kundërthënës, janë edhe të pakuptueshme, e

që si rezultat i kësaj janë edhe të papranueshme, pasi që me rastin e matjes së dënimit

janë marrë për bazë si rrethana rënduese, edhe elementet e figurës së veprave penale

përkatëse.

38. Kështu, me rastin e matjes së dënimit ndaj të dënuarit E.I., janë marrë për bazë shkalla

e lartë e pjesëmarrjes dhe e dashjes për të kryer veprën penale dhe mënyra e kryerjes

së veprës penale, pa dhënë sqarime dhe shpjegime konkrete se në çka konsistojnë

këto rrethana. Në anën tjetër, me rastin e matjes së dënimit ndaj të dënuarit E.I., si

rrethana rënduese janë marrë për bazë edhe elementet e figurës së veprës penale, pasi

që gjykata e shkallës së parë, në lidhje me këtë çështje thekson: “...duke shtënë nga

pas tani në të ndjerin dhe rrezikuar edhe të tjerët që kanë qenë afër tij, mosha e tani

të ndjerit-i mitur, shkalla e dëmit të shkaktuar, duke përfshirë edhe vdekjen e tani të

miturit”.

39. Gjithashtu, edhe sa i përket të dënuarit P.I., janë marrë për bazë si rrethana rënduese

elementet e figurës së veprës penale, pasi që gjykata e shkallës së parë e konsideron

si rrethanë rënduese “dashjen për t’i dhënë ndihmë të dënuarit të parë E.I....”.


40. Edhe në këtë çështje penale, Gjykata Supreme e Kosovës e sheh të nevojshme që të

rithekson se elementet e figurës së veprave penale nuk mund të trajtohen, përkatësisht

të merren për bazë edhe si rrethana rënduese apo lehtësuese me rastin e matjes së

dënimit.

41. Në këtë mënyrë, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje

esenciale të dispozitave të procedurës penale, siç është theksuar edhe më lart dhe këto

shkelje nuk janë evituar as nga gjykata e shkallës së dytë.

42. Përkundrazi, edhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë përmban një arsyetim të

përgjithësuar dhe të mangët, duke mos i elaboruar dhe shtjelluar pretendimet

thelbësore të paraqitura në ankesa, të cilat edhe nuk kanë qenë të pakta, si dhe duke i

anashkaluar dhe konsideruara si të drejta dhe të ligjshme konkludimet e gjykatës së

shkallës së parë, edhe pse të njëjtat kanë qenë të përfshira me shkelje esenciale të

dispozitave të procedurës penale.

43. Andaj, mbi bazën e të gjitha këtyre që u theksuan më lart, Gjykata Supreme e Kosovës

vendosi që t’i aprovoj si të bazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të

mbrojtësve të të dënuarve E.I. dhe P.I., ndërsa të anulohen aktgjykimi i gjykatës së

shkallës së parë dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë, ashtu që kjo çështje

penale do t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

44. Shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat janë përfshirë

aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë

janë të asaj natyre që nuk kanë mundur që të evitohen nga Gjykata Supreme e

Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo

çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

45. Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet që ta caktoj edhe një herë shqyrtimin

gjyqësor dhe t’i evitoj të gjitha shkeljet e lartcekura, ku pas administrimit të serishëm

të të gjitha provave, duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar

mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit, ashtu siç është parashikuar me dispozitat

përkatëse ligjore.

46. Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet që t’i evitoj të metat e theksuara me

parë, përveç tjerash edhe:

- duke sqaruar dhe arsyetuar mjaftueshëm dinamikën e rrjedhjes së ngjarjes ditën

kritike, në veçanti se si ka ardhur deri tek shkrepja nga dy armët e theksuara më lart,

se kush ka shkrepur dhe në cilin moment, si dhe të gjitha rrethanat tjera që janë të

rëndësishme për vendosjen e drejtë të kësaj çështje penale. I mbetet në vlerësim të

gjykatës së shkallës së parë se si dhe me cilat prova do ta vlerësoj një dinamikë të

tillë të rrjedhës së ngjarjes, duke ja lënë në kompetencë të saj që të shqyrtoj edhe

mundësinë e rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, me pjesëmarrjen e ekspertëve të

mjekësisë ligjore dhe të balistikës, si dhe të gjithë personave të tjerë, ashtu siç

parashihet me ligj, nëse vlerësohet i arsyeshëm dhe i nevojshëm një veprim i tillë;

- të sqarohet dhe arsyetohet mjaftueshëm edhe aspekti i rrezikshmërisë konkrete në

drejtim të të dëmtuarve R.G. dhe B.S., siç është theksuar më lart;

- që vendimin e saj përfundimtar ta përpiloj sipas dispozitave përkatëse ligjore, duke

paraqitur arsye të mjaftueshme për të gjitha fakteve vendimtare, e në këtë rast edhe

sa i përket rrethanave relevante me rastin e matjes së dënimeve, si dhe

- sipas nevojës dhe arsyeshmërisë të vlerësohen edhe pretendimet tjera të palëve, në

drejtim të respektimit dispozitave përkatëse ligjore që rregullojnë procedurën penale.

47. Duke e pasur parasysh ndërlidhjen reciproke të veprave penale për të cilat janë

shpallur fajtor të dënuarit E.I., P.I., E.M., dhe L.B., atëherë Gjykata Supreme e

Kosovës, duke u bazuar në nenin 436, paragrafi 2 të KPP-së, vendosi që të anuloj

aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së shkallës së dytë, edhe sa

i përket të dy dënuarve të fundit, pavarësisht se të njëjtit nuk kanë paraqitur kërkesë

për mbrojtjen e ligjshmërisë.

48. Nga arsyet që janë theksuar më lartë dhe në bazë të nenit 438, paragrafi 1, nënparagrafi 12. të KPP-së, kolegji penal i Gjykatës Supreme ka vendosur që të

aprovohen si të bazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të të

dënuarve E.I. dhe P.I., ndërsa anulohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në

Prishtinë, PKR.nr.1056/2020, i datës 7 qershor 2020 dhe aktgjykimi i Gjykatës së

Apelit të Kosovës, PAKR.nr.445/2022, i datës 21 nëntor 2022, ashtu që kjo çështje

penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Juristi.blog

Author & Editor

Platformë informative juridike që ofron këshilla praktike, analiza ligjore dhe përmbajtje të besueshme për qytetarët, profesionistët e drejtësisë dhe studentët në Kosovë.

Manual Categories